Rreth Fakultetit

Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Sociale e Politike ka si synim të përgatisë profesionistë në gjendje për të analizuar procese të rëndësishme në nivel individual e kolektiv në fushat si drejtësia, shkencat sociale e politike. Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Sociale e Politike përbëhet nga tre departamente:  Departamenti i Drejtësisë,  i Shkencave Sociale dhe Edukimit, dhe Departamenti i Shkencave Politike.

Objektivat akademike dhe shkencore të mirëpërcaktuara dhe të ndara sipas strukturave përgjegjëse të këtij fakulteti, janë në përputhje të plotë me kërkesat më të reja për modernizimin e mësimdhënies në arsimin e lartë, duke ruajtur specifikat në fushën e drejtësisë, shkencave sociale, shkencave politike dhe edukimit fizik dhe sporteve.

Programet mësimore në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale e Politike janë konceptuar dhe mbështetur në përvojat e suksesshme të universiteteve perëndimore, duke synuar krijimin e një profili të qartë dhe të dallueshëm në përshtatje me kushtet dhe zhvillimet e vendit. Fakulteti synon gjithashtu që kërkimi të bëhet një nga karakteristikat dalluese të identitetit të tij. Ai promovon kërkime dhe studime krahasuese, shumëdisiplinore në fushat e drejtësisë, politikës, qeverisjes, administrimit publik, sociologjisë, psikologjisë dhe edukimit, duke angazhuar në këtë veprimtari edhe studentët. Fakulteti ka krijuar edhe rrjetin e vet të bashkëpunimit akademik e kërkimor dhe synon ta forcojë dhe zgjerojë më tej këtë rrjet, në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, duke qenë pjesë aktive e disa projekteve që lehtësojnë bashkëpunimin në këto nivele.

Këshilli i Fakultetit
Këshilli i Fakultetit është organ kolegjial vendimmarrës i Fakultetit. Ai merr në shqyrtim dhe vendos për problemet më të rëndësishme të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe kualifikimit.

Këshilli i Fakultetit përbëhet deri në 4 anëtarë, të cilët zgjidhen nga personeli akademik i Fakultetit. Mandati i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit është tre vjet. Zëvendësimi brenda mandatit i një anëtari të tij bëhet me kërkesë të Departamentit përkatës.

Anëtarët e Këshillit të Fakultetit përfaqësojnë personelin akademik të Fakultetit. Ata mund të jenë gjithashtu personel akademik i ftuar ose bashkëpunëtorë shkencorë të jashtëm. Si rregull, në Këshillin e Fakultetit janë të përfaqësuar të gjitha departamentet dhe njësitë kërkimore-shkencore të Fakultetit. Anëtari zgjidhet me votim të anëtarëve të personelit të njësisë që ai përfaqëson.

Dekani është anëtar dhe Kryetar i Këshillit të Fakultetit për shkak të detyrës dhe e përfaqëson atë në marrëdhëniet me Senatin.

Dekani thërret Këshillin e Fakultetit në mbledhje të rregullta një herë në 2-3 muaj. Rendi i ditës zakonisht propozohet nga Dekani. Këshilli i Fakultetit mund të mblidhet edhe në seancë të jashtëzakonshme me thirrjen e Dekanit, ose kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të tij.