Aktivitetet permbledhese te fundvitit 2014 të studentëve SHP

Viti 2014 nuk kishte si të mbyllej më ndryshe për studentët e shkencave politike të SHULJ Universitetit “Marin Barleti ku në kuadër të vizitave studimore që konsistojnë në njohjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore dhe politikave të tyre, studentët e të treja viteve së bashku me pedagogët Zamira Çavo, Reis Mulita dhe Xhuljeta Krasta, më datën 10 dhjetor 2014, ishin të pranishëm në forumin kombëtar anti korrupsion. Për rreth katër orë ministrat dhe kreu i qeverisë në Forumin Kombëtar Kundër Korrupsionit prezantuan arritjet e tyre gjatë një viti të qeverisjes, si dhe vunë në dukje realizimin e premtimeve të bëra ku më e rëndësishmja ishte pikërisht lufta kundër korrupsionit në vend, në çdo sektor.

Gjatë fjalës së tij kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama tha se “Lufta kundër korrupsionit është lufta për modernizimin e shtetit” si dhe parashtroi strategjinë e luftës anti korrupsion për vitin 2015.

Ndërsa në datë 18 dhjetor 2014, një grup studentësh të vitit të II të programit shkenca politike të shoqëruar nga pedagogia e Fatjona Qurku, ishin të pranishëm dhe ndoqën seancën plenare të ditës së enjte. Seanca filloi me miratimin e procesverbalit të seancës plenare, të datës 11 dhjetor 2014, për të vijuar diskutimet në lidhje me projektligjin “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, me projektligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) e Shtabit të Komandës Supreme Aleate për transformimin në plotësim të protokollit të Parisit” etj.

Këto vizita u cilësuan nga vetë studentët si shumë me vlerë duke u mundësuar atyre një konkretizim të realitetit politik, të studiuar në auditorët e Universitetit “Marin Barleti”.