Skuadra e UMB-së kalon ne finalen e konkursit "Gjyqi simulues i GJEDNJ – Shqipëri 2015"

Qendra Europiane dhe Civil Rights Defenders hapën  në muajin tetor 2014 siparin e Konkursit “Gjyqi simulues GJEDNJ- Shqipëri 2015”. Në këtë konkurs morën pjesë të gjithë fakultetet e Drejtësisë të universiteteve publikë dhe jopublikë të Shqipërisë, gjithsej 12 ekipe nga 12 universitete.
Konkursi konsiston në studimin e një kazusi fiktiv të përgatitur nga Këshilli Shkencor  sipas modelit të gjykimit në GJEDNJ. Faza e parë e konkursit ishte ajo me shkrim ku të 12 skuadrat deri në datën 10 dhjetor 2014 duhet që të përgatisnin parashtrimet e palës ankimuese dhe memorialin e shtetit palë të konventës.

Skuadra e Shluj “Universiteti Marin Barleti” nën udheheqjen e pedagoges Elona Bano e kaloi me sukses fazën me shkrim duke u klasifikuar në gjysëfinalen e cila u zhvillua në ambjentet e Gjykatës së Apelit Civil – Tiranë, ditën e shtunë dt 20 dhjetor 2014.
Skuadra e Universitetit tonë ishte përbërë nga studentët: Jonida Gurra (viti III Drejtësi), Rexhina Rapi (viti II Drejtësi), Enxhi Gjinishi (viti III Drejtësi), Kristi Seferaj ((viti III Drejtësi), dhe Melisa Llaka (master E drejtë Biznesi) nën udheheqjen e pedagoges Elona Bano me cilësinë e Liderit të Grupit. Puna e palodhur dhe përkushtimi i skuadrës këto dy muaj e pasur në konsultime me jurisprudencën e GJEDNJ-se si dhe fryma e ekipit u shpërblye më së miri me klualifikimin në finale.

Në shortin e hedhur ditën e premte dt 19 dhjetor në ambjentet e Hotel Mondial, skuadra e UMB përfaqësoi  rolin e palës ankimuese përpara një skuadre shumë të përgatitur siç është Skuadra e Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.
Përballja midis këtyre dy skuadrave ishte vërtetë interesante ku studentët shpalosën jo vetëm dijet e tyre por edhe një ndjesi të lartë integriteti dhe etike profesionale. Rastësia bën që kjo përballje të ish një finale e vogël  pasi në muajin janar Skuadra e UMB e pëzgjedhur si skuadra më e mirë përfaqësusese e palës ankimuese do të ripërballet në finale me skuadrën e Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.
Kjo arritje në prag festash demostron edhe njëherë cilësinë e lartë të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë pranë SHLUJ”Universiteti Marin Barleti” si dhe prestigjin, i cili me shumë kujdes është ndërtuar në këto vite.

Falenderojmë dhe i urojmë shumë suksese Jonidës, Rexhines, Enxhit, Kristit dhe Melisës dhe shpresojmë që të kualifikohemi në konkursin ndërballkanik për të drejtat e njeriut që do të mbahet në Mal të Zi në shkurt 2015.