Gjykimi në mungesë në procesin civil

Në mjediset e Universitetit Marin Barleti (kampusi 1), më datën 28.05.2015, u zhvillua prezantimi i librit "Gjykimi në mungesë në procesin civil", me autor  Zotin Florjan Kalaja, Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Prezantimi u zhvillua në formën e një tryeze të rrumbullakët në të cilën merrnin pjesë studentë dhe padagogë të Universitetit Marin Barleti, të universiteteve te tjera, juristë, avokatë dhe profesionistë të tjerë të drejtësisë.

Vetë autori i librit, gjyqtari Kalaja, bëri një prezantim të çështjeve kryesore që trajtohen në libër, duke i renditur sipas vlerave ligjore, teorike, praktike dhe duke i lidhur me jurisprudencën në nivelet e ndryshme të gjyqësorit dhe në Gjykatën Kushtetuese. Me interes për auditorin ishin trajtimi i çështjeve se si mund të operohet në rendin juridik të Republikës së Shqipërisë dhe procesin gjyqësor civil, duke patur parasysh pikërisht dispozitat ligjore për gjykimin në mungesë të palëve ndërgjyqëse, në mënyrë që atyre t’ju sigurohet e njëjta mundësi për të marrë dobi juridike dhe sociale nga procesi gjyqësor civil. Në përgjigjet që autori u bëri pyetjeve të shtruara nga të pranishmit dhe në diskutimet e ndryshme që u bënë në tryezë, problemet u trajtuan si në prizmin e universalitetit të gjykimit në mungesë, ashtu edhe në atë të historikut shqiptar të procedurës civile.